Një video e rëndë është publikuar nga portali JOQ, dhe që është xhiruar në Maminas të Durrësit.

Një qytetar ka dërguar një video në të cilën 3 persona të hipur në një karrocë me kalë tërheqin nga pas zvarrë një qen nëpër asfalt.

Në video mund të dallohet qartë zëri i qytetarit që i kërkon të ndalojë duke i thënë: “Lëre se është gjynah, e ngordhe”, por personi sipër karrocës i kthehet: “Gjynah ë? Më ka ngrënë pulat” (shih videon këtu).

Personat, që me sa duket janë pronarët e qenit nuk kanë ndaluar dhe për një kohë të gjatë e kanë tërhequr zvarrë qenin.

Një video e ngjashme qe regjistruar vitin e kaluar po në rrethinat e Durrësit. Një qytetar nga Xhafzotaj tërhiqte zvarrë pas makinës një qen të gjorë.

Në atë kohë, video u bë virale në internet dhe komentuesit dënuan rëndë veprimin e burrit.

Madje edhe policia e Durrësit nisi procedimin penal ndaj banorit të Xhafzotajt, i cili u identifkua lehtë, falë medieve që bënë publike rastin.

Shpresojmë që edhe këtë herë autoritetet të reagojnë duke dënuar autorët e këtij rasti të rëndë.