Mëngjesin e sotëm në shëtitoren “Taulantia”, Kryqi i Kuq Shqiptar organizoi një trajnim për dhënien e ndihmës së parë gjatë aksidenteve të ndryshme. Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra të rinj e të reja nga qytete të ndryshme. Ky trajnim teoriko-praktik i gërshetuar me elementë të shumtë të ndihmës së parë, tërhoqi vëmendjen e qyetarëve durrsakë dhe vizitorëve të shumtë që po kalonin në shëtitoren kryesore të qytetit.

Luljeta Hidi, Koordinatore e Programit të Shërbimit të Trajnimit për Ndihmën e Parë tek Kryqi I Kuq Shqiptar na sqaron për qëllimin dhe fazat e zhvillimit të këtij aktiviteti mbarëkombëtar. E kontaktuar nga ana jonë ajo na shpjegon se, “Të gjithë dëshirojmë të ndihmojmë dhe të na ndihmojnë në vështirësi e tragjedi, por në se për këtë ndihmë nuk kemi menduar e mësuar si jepet më përpara, para nesh do të shfaqet paniku dhe vetë tragjedia. 

Prandaj Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Gjysmë Hëna e Kuqe, prej vitesh janë angazhuar dhe luajnë rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit në përhapjen e njohurive të ndihmës së parë. Objektivi kryesor i Konkursit Kombëtar të Ndihmës së Parë është që në çdo situatë, të jemi të gatshëm dhe të aftë për të larguar rrezikun me qëllim që të shpëtojmë jetë njerëzish. 

Në 39 degët e Kryqit të Kuq Shqiptar zhvillohen takime në nivel degësh, më pas zhvillohen tre takime rajonale: Shkodër, Durrës dhe Fier. Ekipet më të mira që do të konkurrojnë në fazën finale, që do të zhvillohet në datën 8 Maj, Ditë Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Organizimi i këtij aktiviteti-konkurrues realizohet sipas të njëjtit standard që ndjek dhe Konkursi Evropian i Ndihmës së Parë. Për këtë konkurrim janë përgatitur “stacione simulimi” të aksidenteve të ndryshme, ku vullnetarët do të demonstrojnë dhënien e ndihmës së parë për personat e aksidentuar.

Ndihma e parë duhet të konsiderohet, jo si një alternativë për të ndërhyrë në shërbimin e urgjencave, por si një hap i parë jetësor për të ofruar një ndërhyrje të shpejtë dhe efektive. "Ndihma e parë e parë shpëton jetë"! Kjo është dhe moto e këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Në fund mes entuziazmit të pjesëmarrësve u shpallën ekipet fituese të takimit të sotëm respektivisht: Tirana, Elbasani, Librazhdi, Durrësi dhe Korça.

Sh.K.