Në kuadër të ditës botërore të tokës, ALUIZNI Durrës ka mbjellë pemë në korpusin universitar “Aleksandër Moisiu”. ALUIZNI Durrës i është përgjigjur ftesës së këtij universiteti për mbjelljen e pemëve, fushatë e cila ka nisur rreth një muaj më parë. Me këtë rast, universiteti i Durrësit organizoi një ceremoni, ku rektorja Kseanela Sotirofski falënderoi kreun e ALUIZNI-t për këtë mbështetje, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve durrsakë dhe personaliteteve të qytetit bregdetar të kontribuojnë për të mbjellë pemë, me qëllim të krijohet pranë vendit të dijes një ambient komod dhe i pastër.

Kreu i ALUIZNI-t në fjalën e tij deklaroi se institucioni që ai drejton ka vendosur të mbjellë 20 pemë bliri në vendin e dijes. Gjuzi u shpreh se pemët po mbillen, pasi zona e Porto-Romanos ku ndodhet universiteti, konsiderohet si një ndër zonat më të ndotura të qytetit bregdetar.

Në shtator 1969 në një konferencë në Siatëll, Uashington, Geilord Nelson, senator i SHBA-së, shpalli se në pranverën e vitit 1970 do të kishte demonstrata për ambientin në të gjithë vendin. Fillimisht, senatori Nelson propozoi disa protesta ambijentaliste për ta futur mbrojtjen e natyrës në programin e qeverisë. Me kalimin e një kohe të shkurtër, kjo festë u kthye nga kombëtare në ndërkombëtare, duke sensibilizuar mbarë botën dhe 22 prilli tashmë njihet si dita botërore e tokës.

K.H.