Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, ministri i Mjedisit Lefer Koka, apeloi sot për më shumë ndërgjegjësim kundrejt mjedisit. Ministri mori pjesë në një nismë për pastrimin e bregdetit në plazhin Rinia të Durrësit, ku edhe përcolli mesazhin e kësaj dite të rëndësishme. 

“Më datën 5 mars, Ministria e Mjedisit mori një nismë pikërisht për të sensibilizuar mbarë qytetarët shqiptarë për të pastruar tokën”, tha ministri Koka, i cili falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme që në ditët e para të saj.

Në Durrës, problematika kryesore është mungesa e një impanti për përpunimin e mbetjeve urbane të cilat digjen në një fushë të hapur, problematikë e cila vërehet në shumë bashki të vendit. Ministri tha se krerët e bashkive duhet të jenë sensibël ndaj këtyre çështjeve të nxehta mjedisore.

Deklaratat e tij, ministri i Mjedisit i bëri gjatë pastrimit të sektorit Rinia në Durrës ku iu bashkua të rinjve dhe qytetarëve vullnetarë të qytetit të Durrësit dhe Korpusit të Vullnetarëve për pastrimin e zonës nga mbetjet. Nismës i janë bashkuar nxënës shkollash, biznese lokale, shoqata, organizata të huaja, administrata lokale, bashki dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, të cilët të gjithë së bashku kanë kontribuuar në pastrimin e vendit nga mbetjet.

Dita e Tokës këtë vit festohet në mbarë botën me moton “Ndërgjegjësimi për Mjedisin dhe Klimën”. Kjo ditë promovon rritjen e ndërgjegjësimit për problemet mjedisore dhe demonstrimin për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Ndjekim deklaratën!

K.H.