Aktivitetet për të mbrojtur Tokën dhe për të dashur Natyrën janë aq të paktë tek fëmijët e Durrësit. Është për t’u përshëndetur e për t’u vlerësuar çdo aktivitet, i cili shpalos tek fëmijët e brezit të sotëm, të cilët njohin më së miri pajisjet elektronike të gjeneratës së fundit, por Natyrën dhe vlerat reale të saj nuk i njohin thuajse aspak. 

Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Tokës, e cila sjell në vëmendjen e çdonjërit prej nesh thelbin e ekzistencës së Njerëzimit, një aktivitet shumë domethënës është zhvilluar në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës.  

Në kuadër të projektit “Një jetë e shëndetshme, mjedis i pastër”, i cili përkon edhe me ditën ndërkombëtare të tokës, që festohet në 22 prill, Drejtoria Arsimore dhe ajo e shkollës, në bashkëpunim me nxënësit e kësaj shkolle në qytetin e Durrësit, kanë organizuar një aktivitet ku shpalosën një sërë krijimesh në pikturë dhe gastronomi.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Mjedisit në qytetin bregdetar. Numri një i institucionit të arsimit në Durrës, Lindita Muka, e konsideroi 22 prillin ditë të shënuar, ndaj, sipas saj, çdokush duhet të japë kontributin e tij në mirëmbajtjen e tokës.

Merita Kuçi, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “14 nëntori”, në fjalën e saj tha se qëllimi i projektit është që t’i japë një mesazh të gjithë komunitetit mbi rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës. Ndërkohë, përfaqësuesit e Drejtorisë së Mjedisit sollën edhe pemën simbol të paqes, ullirin.

Aktiviteti vijoi me valle të interpretuara nga nxënësit e shkollës “14 Nëntori” me veshjet tradicionale shqiptare.

K.H.