T’ia dalësh të pengosh Lionel Messi-n të shënojë është diçka shumë e vështirë. Ndaj Juventus-it “Pleshti” nuk arriti të firmosë në asnjë nga të dyja përballjet në çerekfinale dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve ishte i pashmangshëm. Një surprizë e vërtetë të shihje argjentinasin të mos shënonte dhe kjo për meritë të mbrojtjes së pakalueshme bardhezi e cila praktikisht ia mbylli të gjitha hapësirat, duke e penguar të shprehet siç do të donte. Pra vijon tradita pozitive e Gianluigi Buffon, që ndaj Messi-t nuk ka pësuar kurrë gola në karrierën e tij.
Portieri i Juventus-it është përballur me argjentinasin në tre raste, dhe në asnjë prej tyre sulmuesi katalanas nuk e ka shijuar golin. Përballja e parë daton në finale të Champions-it në 6 qershor të 2015-ës. Atëherë Barcelona ngriti trofeun falë golave të Rakitic, Suarez dhe Neymar. Messi e preku golin, por konkluzioni i tij u devijua nga Buffon pikërisht tek këmbët e Suarez që firmosi rezultatin provizor 2-1 me portë bosh. Dy të tjerat ishin në çerekfinale të këtij Champions-i. Në ndeshjen e vajtjes i vetmi rast ku Messi u shfaq rrezikshëm ishte asisti për Iniesta-n, ndërsa në kthim ishte afër golit kur e goditi me të majtën një top që kaloi shumë afër shtyllës, me Buffon-in të palëvizshëm. Pra porta e Gigi-t është kthyer në një tabu për Messi-n, i cili nuk është përballur me portierin italian as me fanelën e Argjentinës. Ndoshta do të ketë mundësinë ta thyejë këtë tabu në “Rusia 2018”, sigurisht nëse “Albiçeleste” arrin kualifikimin.