Në auditorin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, presidenti i FSHF-së, Armand DUKA, është rishfaqur për herë të parë në publik që pas dështimit për t’u bërë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ai ishte i pranishëm në lançimin e nismës së “Akademisë së Arbitrimit” në këtë qytet, ndërkohë që “bluzat e zeza” tonat janë kryqëzuar maksimalisht për gafat me ndikim në rezultat të fundjavës së kaluar. Për pasojë, fjala e kreut të federatës nuk mund të mos ndalej edhe në këtë drejtim: “Jemi në fazë delikate të kampionatit dhe e pranoj që arbitrat kanë gabuar. Janë gabime që duhen falur, si të lojtarëve, ashtu edhe të arbitrave.
Duke gjykuar që loja fal gabimin, janë gabime njerëzore, besoj se ka pasur edhe abuzime. Komiteti i Arbitrave në federatë do t’i analizojë me rigorizitet. Dhe asnjëherë nuk do të lejohet që të kalohet nga gabime njerëzore në gabime jonjerëzore. Në asnjë rast nuk do të lejohet që gjyqtarët të vendosin për fatin e ndeshjes. Prandaj, duam që në gjenezë të ketë arbitra korrektë, ndaj sot jemi këtu. Ata që Komisioni i Arbitrave në FSHF i ka nxjerrë fajtorë nuk do të vazhdojnë të jenë këtu. Dua të them që kampionati ynë deri më tani ka bërë progres të jashtëzakonshëm”.