Një ngjarje mund të kishte rezultuar fatale për arbitrin nga Vlora, Ardit Merdanaj, i cili ra pre e dhunës së lojtarit të Domosdovës, Altin Lleshi dje në stadiumin e Tepelenës.
Gjithçka ndodhi vetëm për akordimin e një 11-metërshi. Gjyqtari rrezikoi jetën pas dhunës, përfundoi në spital dhe tashmë nuk dëgjon më nga veshi i djathtë.
Gjatë një interviste për ‘Panorama Sport’ Merdanaj tregon momentet e goditjes dhe ndër të tjera thekson se ato goditje e kanë lënë me pasoja serioze.
“Kam dhimbje në kokë dhe nuk dëgjoj fare nga veshi i djathtë. Do të shkoj menjëherë në spitalin e Vlorës për të bërë kontrolle më të imtësishme me skaner. Nuk e kuptoj një veprim të tillë”,- tha arbitri.