Vrasja e Artan Cukut, kishte kohë që ishte planifikuar dhe për këtë, personi që ka dashur të vdekur ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, duket se ka paguar një vrasës me pagesë.
Në një video të publikuar nga policia e Tiranës, duket qartë autori i krimit, i cili i veshur sportiv dhe me doreza, vrapon ngadalë teksa largohet nga zona e krimit.
Sipas policisë, me këtë veshje dhe mënyrën se si është larguar vrasësi, të linte përshtypjen se ai ishte një vrapues që po kthehej si shumë vrapues të tjerë, nga zona e liqenit. Autori ende i paidentifikuar nga policia, ka qëndruar në hollin e pallatit ku pikërisht sapo Cuku, ka hipur në ashensor është qëlluar më armë zjari, plot pesë herë. Vrasësi ka qëlluar me dy pistoleta, tip “Bereta” dhe “Gllok”, duke u larguar më pas me shumë shpejtësi mes personave që ktheheshin nga vrapi apo ecja e darkës në zonën e liqenit Artificial.
Vrasësi mund të jetë nga Kosova
Videoja është filmuar nga kamerat e sigurisë së pallatit, ku duket mjaft qartë autori i cili largohet me një vrap të lehtë nga vendi i ngjarjes. Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që të identifikojnë autorin e vrasjes së Cukut. Ajo ka vënë në dispozicion numrin e celularit 0694110299 ku mund të kontaktojë çdo qytetar i cili ka parë autorin. Më herët policia ka ofruar një shpërblim prej 3 mln lekësh për çdo person i cili do të jap informacione të vlefshme mbi vrasjen e ish-kreut të Policisë.
Ai është i gjatë rreth 1.70 dhe në bazë të dëshmisë së gruas së Cukut dhe administratorit të pallatit, autori kishte një theks verior.Dyshimet flasin se personi që ka qëlluar ish-funksionarin e lartë të Policisë së Shtetit, mund të ketë qënë një vrasës me pagesë nga Kosova, shkruan Shqiptarja.com.





