Humbja e nipit pak javë më parë, i ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duket se ka përkeqësuar gjendjen psikologjike të 72-vjeçares nga Shijaku, shtetases N.G., e cila mbrëmjen e së mërkurës tentoi vetëvrasjen.
Nga burime pranë grupit hetimor, mësohet se ish-infermierja 72-vjeçare ishte mjaft e lidhur me fëmijët e vëllait të saj dhe humbja tragjike e nipit, në moshë mjaft të re, ka qenë e papërballueshme për gruan e moshuar.
Ajo ka shfrytëzuar momentin, kur në shtëpi nuk ka pasur asnjë familjar dhe është hedhur nga kati i dytë i banesës, në kushtet e një depresioni të thellë.
Sipas burimeve policore, në momentin kur janë kthyer në shtëpi familjarët e saj, e kanë gjetur të shtrirë në oborr dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se 72-vjeçarja i ka shpëtuar rrezikut për jetën, por sërish gjendja e saj është e rëndë.





