Për herë të parë, këtë vit, në plazhin e Durrësit pritet të zbatohet projekti pilot i ndarjes së mbetjeve urbane që në origjinë.

Alfred Dhuli, drejtori i Ndërrmarrjes Komunale të plazhit, deklaroi për DurrësLajm se në zonën bregdetare, këtë vit, krahas eleminimit të derdhjeve të ujërave të bardha dhe të zeza ne det do të ketë edhe grumbullim të integruar te mbetjeve urbane me koshat special, që pritet të vendosen në vendet e caktuara, brenda 15 majit.

Masat për sezonin veror janë marrë dhe po punohet në disa fronte për pastrimin e plazhit nga leshterikët dhe papastërtitë, plugimin dhe dezinfektimin e rërës, që në 15 maj, zona turistike e Durrësit të jetë gati për mikpritjen e pushuesve.

Tashmë pushuesit e parë kanë filluar të shfrytëzojnë çdo ditë me diell dhe ky numër njerëzish do të vijë në rritje gradualisht, megjithëse sezoni ende nuk është hapur zyrtarisht.

K.H.