Kjo ishte java e Paulo Dybala, e Messit të ri. Dygolëshi ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampioneve, e ka afruar rinovimin e tij zyrtar me Juventusin. Përfundimisht, sulmuesi argjentinas është lidhur me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2022. Kjo “shpallje martese” erdhi pas shpërthimit të tij në futbollin europian. Ka marrë fund pritja e lojtarit për të eksploruar mundësi të reja në karrierë, sikurse shuhen shpresat e klubeve të tjera për të. Akordi i ri pesëvjeçar i kampionëve të Italisë me ish-sulmuesin e Palermos është tashmë një fakt i kryer. Dybala ka fituar në mënyrë efektive diçka mes 7 dhe 7.5 milionë eurove, pasi e zgjeroi për dy sezone kontratën e nënshkruar në vitin 2015, e cila skadon në vitin 2020.
“La Joya” arrin kështu patriotin dhe kolegun e sulmit bardhezi, Higuain, në krye të lojtarëve më të paguar në Seria A. Pas dy golave të shënuar kundër Barcelonës dhe superparaqitjes së bërë, Dybala ka përfituar direkt edhe dy vite të tjera kontratë me Juventusin. “Juventus Football Club” ka njoftuar sot se ka rinovuar kontratën e punës me futbollistin Paulo Dybala deri më 30 qershor 2022. “Së bashku për një kohë të gjatë, me këtë fanellë”, – tregoi menjëherë Dybala në Twitter, duke e ndarë gëzimin me të gjithë mbështetësit e Juventusit. Me 32 gola të shënuar në 89 ndeshje zyrtare, deri më tani, ai është shndërruar në një yll dhe pikë referimi për Juventusin. Pavarësisht rinovimit deri në vitin 2022, klubet e mëdha të Europës do të vijojnë të përpiqen në çdo mënyrë për ta marrë Dybala në radhët e tyre. Argjentinasi është qëllimi, jo shumë i fshehtë, i Barcelonës, por interes për të kanë edhe PSG, Real Madrid, Bayern Munich, të gjithë në gjendje të shpenzojnë 100 milionë euro për fenomenin e ri.