E ardhmja e Elseid Hysajt mund të flasë anglisht. Janë të bindura për këtë mediat në ishull dhe më konkretisht gazeta presitigjoze The Sun e cila shkruan se për mbrojtësin shqiptar të Napolit, interesohen dy prej klubeve më të mëdha të Premier Leagues, Manchester United dhe Arsenali.Hysaj i cili ka shkëlqyer me fanellën e skuadrës së kaltër gjatë këtyre 2  sezoneve gjatë kësaj vere mund të bëjë hapin e madh në karrierë. Më parë për kuqeziun kanë shfaqur interes edhe Barcelona apo Bayern Mynih, por tashmë më pranë 23-vjecarit nga Shkodra janë 2 skuadrat e kampionatit anglez.

Hysaj konsiderohet një mbrojtës i kompletuar nga Jose Mourinho dhe Arsene Wenger edhe pse ky i fundit nuk dihet nëse do  të vazhdojë të qëndrojë në stolin e topcinjëve.Me shqiptarin United dhe Arsenali do të blindonin krahun e djathtë të prapavijës dhe kjo është një nga arsyet kryesore që drejtuesit e dy klubeve janë të gatshëm të derdhin në arkat e Napolit shumën prej 40 milionë Paund që përkon edhe me klauzolën e largimit të Hysajt nga skuadra italiane që është 50 milionë Euro. Lajmi për interesimin e Manchester United dhe Arsenalit për Hysajn u konfirmua edhe nga agjenti i futbollistit Mario Giufreddi, i cili theksoi se lojtari pëlqëhet nga shumë klube të mëdha por për momentin Hysaj ndihet mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë te skuadra e kaltër për të tentuar të fitojë Serinë A, sezonin e ardhshëm me ekipin e Sarrit.