Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tërheq vëmendjen sa i takon dorëzimit elektronik të Deklaratës Individuale të të Ardhurave për Individët, teksa iu kujton tatimpaguesve detyrimin, afatin që po afron, si dhe mënyrën sesi duhet ta realizojnë.
Data 2 maj 2017 është afati i fundit i dorëzimit elektronik të kësaj deklarate. Sipas administratës tatimore, është rritur interesimi nga individë, të cilët kanë qenë apo bëhen subjekte të deklarimit.
Tatimet sqarojnë se për një pjesë të tatimpaguesve, të cilët kanë qenë deklarues më parë, kanë hasur paqartësi, por edhe njoftim penaliteti të zbatuar, për sa i takon të dhënave që ka raportuar sistemi e-filing.
“Sqarojmë të gjithë individët subjekte të deklarimit se:
Ashtu si plotësimi dhe dorëzimi i kësaj deklarate, që kryhet vetëm në mënyrë elektronike, edhe përpunimi i të dhënave të saj që kanë të bëjnë me të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë vitit kalendarik, deklaruar nga vetë individi deklarues, bëhet automatikisht nga ky sistem. Ato penalitete, që rezultojnë tek disa individë deklarues, janë rrjedhojë e dorëzimit me vonesë të deklaratës, ose me mosplotësim të saktë të të dhënave të të ardhurave të deklaruara, vendosje gabim e shumës së tatimit të paguar në fakt gjatë vitit, apo mosvendosje fare e saj, që pasohet me përllogaritje automatike të një detyrimi tatimor ndaj individit.
Të nderuar tatimpagues,
Tregoni kujdes të plotë në plotësimin e të gjithë rubrikave të deklaratës tuaj të të ardhurave;
Konsultohuni në kohë me të dhënat e llogarisë tuaj në sistemin e-filing, ku ju është postuar çdo njoftim i rëndësishëm për ju, që ka të bëjë me saktësinë e deklarimit apo qoftë edhe detyrimeve të llogaritura”, bëjnë të ditur Tatimet.
Ata thonë se për çdo paqartësi duhet t’u drejtoheni zyrave të shërbimit të tatimpaguesve në drejtorinë rajonale tatimore të qendrës së banimit ose të telefononi pranë Qendrës së Thirrjeve, për të marrë në kohë informacionin që ju nevojitet.