Pas nisjes së studimit për të ndërtuar një aeroport në Vlorë, qeveria ka shpallur thirrjen për të bërë një projekt i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të një aeroporti në qytetin e Korçës.
Thirrjen e ka dorëzuar në agjencinë e prokurimeve publike Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka vënë në dispozicion një shumë prej 73 mijë dollarësh për kompaninë që do të bëjë studimin e fizibilitetit.
Të kontaktuar nga Televizioni Klan, burime pranë Ministrisë së Financave thonë se planet për ndërtimin e aeroporteve janë pjesë e listës së strategjisë të shpallur nga qeveria “One Billion Euro Project” , të cilat do të bëhen sipas formulës partneritet publik – privat.
Kryeministri Rama ka lajmëruar disa ditë më parë se janë disa kompani serioze që po kërkojnë të investojnë në fushën e aeroporteve në Shqipëri. Muaji prill shënon dhe 1-vjetorin e heqjes së ekskluzivitetit të ajrit për koncesionarin e Rinasit, gjë e cila do t’i mundësojë Shqipërisë të ndërtojë aeroporte të reja dhe të ulen çmimet e biletave, por deri më sot asnjë aeroport i ri nuk është hapur, edhe pse shpresat e para të qeverisë ishin për të vënë në punë atë të Kukësit.
/Tv Klan/