Skandali mbërthen sërish futbollin dhe këtë radhë bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara. Sipas të përditshmes “Corriere della Sera”, karabinierët në Napoli kanë zbuluar se 300 futbollistë brazilianë, një pjesë e të cilëve aktivizohen në nivelet më të larta të kampionateve në Itali, Francë dhe Portugali, kanë fituar në mënyrë jo të ligjshme nënshtetësinë italiane.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, policia, me kërkesë të Prokurorisë ka vënë në pranga shefin e Gjendjes Civile të një prej komunave të Napolit, si dhe drejtuesin e një agjencie për praktikat administrative. Dy të arrestuarit akuzohen për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe favorizim të emigracionit klandestin.
Mes futbollistëve që kanë përfituar dokumente false të nënshtetësisë italiane figurojnë lojtarë që janë pjesë e skuadrave si Palermo, Monaco, Atletico Mineiro, apo edhe skuadra të tjera të kampionateve të futbollit të sallës.