Qeveria ka miartuar një projektligj, i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës.

Investitori quhet “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”.

Sipas relacionit të qeverisë, në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25.000 m2, të një parcele trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri në Tiranë në këmbim të ofrimit të një sipërfaqeje ambientesh për Bashkinë e Tiranës.

Po ashtu kërkohet përjashtimi nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çfarëdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare.

Nisur nga sa më sipër dhe përfitimet që përfaqëson realizimi i këtij projekti për ekonominë shqiptare, por dhe për të qenë transparentë me këtë proces, me anë të këtij ligji kërkohet tagri për fillimin e negociatave me kompaninë e arabe me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të favorshme për të dyja palët.

Shqipëria do të përfaqësohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura e Shtetit.

“Al Habtoor Investment” është pjesë “Al Habtoor Group”, i themeluar nga sheiku Khalaf Ahmad Al Habtoor. Aktualsiht ajo ka disa investime të rëndësishme në Dubai dhe zotëron 7 prona luksi, kryesisht hotele në Vjenë, Budapest, Londër, Beirut dhe në Springfilld të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / Top Channel