Trajneri i Eldense është arrestuar nga policia spanjolle, pas humbjes 12-0 që skuadra e tij pësoi të shtunën nga Barcelona B. Policia vuri në pranga trajnerin e kategorisë së tretë, Fillippo di Pierro, i dyshuar për korrupsion dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në trukimin e ndeshjes. U arrestua gjithashtu edhe Francisco Ruiz, zëvendës trajneri dhe njeriu përfaqësues i grupit “Italian Investment”, që menaxhonte skuadrën në kategorinë e tretë spanjolle. Futbollistët e Eldense, Guille Smitarello dhe Michael Wayne Fernandez, u paraqitën gjithashtu në rajonin e policisë në Elda, si persona në dijeni të fakteve. Bashkë me ta ishte edhe avokati i pronarëve italianë, Jose Miguel Esquembre. Mbrojtësi Emmanuel Mendy, një intervistë të hënën akuzoi zv.trajnerin Ruiz. Mendy tha për “Cadena Ser”: “Ai më pyeti nëse ishte brenda apo jashtë dhe sa kërkoja.
Nëse nuk do të isha dakord nuk do të luaja. Këtë ma komunikoi Fran, sepse trajneri i parë nuk flet shumë mirë spanjisht.” Pas kësaj humbje bordi drejtues vendosi shkrirjen e klubit. “Në parim urdhrat vijnë nga trajneri, – u mbrojt Ruiz. – Nuk dija çfarë të bëja, u gjenda në mes të situatës. Unë nuk e thashë kurrë fjalën tolerim, nuk bëra asnjë zëvendësim, nuk i bëra nxehje askujt dhe menjëherë pas asaj që pash në fushë u tërhoqa nga klubi.” Dëshmia më e fortë ka qenë ajo e dhënë nga Cheikh Saad, i aktivizuar në pjesën e dytë, i cili të dielën ishte i pari që foli për skandalin: “Tani disa futbollistë do të marrin 30 mijë euro. Më saktë unë di vetëm katër prej tyre që e trukuan,” – tha futbollisti i Eldense.