E ardhmja e futbollit europian vendoset në Helsinki. Komiteti Ekzekutiv dhe Kongresi i UEFA-s do të përcaktojnë linjën që do të ndiqet nga Konfederata Europiane pas emërimit të Ceferin në postin e presidentit.Për momentin po përcaktohen ekuilibrat e rinj ndërmjet selisë qendrore në Nion, klubeve, ligave të futbollit dhe vetë sportistëve, që për të parën herë u përfshinë në diskutime nga vetë kreu i UEFA-s.
Në tryezën e diskutimeve qëndrojnë disa çështje, rreth së cilave federatat e mëdha dhe ato të vogla europiane nuk janë dakord, mbi të gjitha përsa i takon ndikimit dhe interesave në futboll.Reforma e Champions, ku prej vitit të ardhshëm katër shtetet që pozicionohen më lart në renditje do të përfaqësohen me 4 skuadra nxiti reagimin e federatave të ashtuquajtura të vogla.Për këtë arsye, slloveni Ceferin, po mendon për zgjidhjet që do të amortizonin debatet dhe pretendimet. Të tilla janë “taksa e luksit”, kufizimet në kontingjentin e skuadrave dhe një sistem më korrekt transferimesh, në mënyrë që të evitohet përqendrimi i yjeve më të mëdhenj të futbollit vetëm në pak klube europiane.