Kryeministri konservator Aleksandër Vuçiç ka fituar zgjedhjet presidenciale të zhvilluara këtë të diel në Serbi.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, ai ka fituar me një diferencë të madhe votash, duke konfirmuar dominimin e tij në vendin ballkanik dhe duke shërbyer si balancues midis Perëndimit dhe Rusisë.

Vuçiç, 47 vjeç, ka shmanguar një balotazh të mundshëm, pasi ka marrë rreth 55% të votave. Rivali më i afërt i tij, kandidati i opozitës Sasha Jankovic ka marrë vetëm 16.2 për qind të votave, sipas një projeksioni nga grupi i votimit Ipsos.

Vuçiç u është drejtuar medieve nga selia e partisë së tij pas orës 22:00, si fitues i zgjedhjeve. Pas hapjes së shampanjës dhe festimit me muzikë, ai tha se është krenar për besimin që iu ngarkua.

“Qytetarë të nderuar të Serbisë, unë jam shumë krenar për faktin se ne kemi marrë ngarkesën e besimit të qytetarëve të shquar të Serbisë, dhe të 3.7 milionë njerëzve që shkuan në qendrat e votimit duke na votuar me 2,035,000 vota”, ka thënë Vuçiç.

Presidenti i ri gjithashtu shtoi se është shumë mirënjohës ndaj qytetarëve nacionalistë serbë në Kosovë, por edhe kombësitë e tjera që e kanë mbështetur.

Vuçiç pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e shtetit në fund të majit.