Historitë me mitropolitë nuk janë të reja për publikun shqiptar. Gjatë këtyre ditëve, çështja “Lila” ka bërë bujë jo vetëm në vendin tonë, por edhe te fqinjët. Si për ironi apo rastësi, dy ditë më parë është përfshirë edhe lojtari i Kombëtares, Ergys Kaçe, por këtë herë nuk ka “tallje” dhe lojëra.
Kësaj here bëhet fjalë për paqe dhe organizim për fëmijët në nevojë. Për të gjashtin vit radhazi, skuadra e PAOK-ut organizon evente bamirësie për fëmijët në nevojë duke grumbulluar ushqime, veshje dhe gjithçka tjetër për t’i bërë ata të ndihen mirë dhe për t’u dhuruar buzëqeshje.
Dy ditë më parë është bërë një konferencë rreth kësaj veprimtarie dhe i pranishëm ka qenë mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe. Duket se lojtari është bërë pjesë e kësaj veprimtarie edhe për shkak të asaj që ndodhi me mesfushorin Andi Lila gjatë këtyre ditëve në Janinë. Në njëfarë mënyre është “viktimë” për atë që ka ndodhur në Kombëtare dhe në Janinë, edhe pse të marrësh pjesë në aktivitete të tilla nuk është asnjëherë e gabuar.
Mirëpo, interesant ishte fakti që nga futbollistët e PAOK-ut për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni ishte zgjedhur vetëm lojtari shqiptar. Ai mund të jetë paragjykuar për atë që ndodhi me Andi Lilën. Në ceremoninë e organizuar nga ekipi nga Selaniku kishin marrë pjesë katër mitropolitë të zonave të ndryshme, të cilët mbajtën gjithashtu edhe një konferencë. Edhe Ergys Kaçe ishte i pranishëm dhe foli për këtë që po bën skuadra e tij.
“Jam shumë krenar që jam pjesë e një ekipi si PAOK-u që përcjell vlera të jashtëzakonshme. Ne të gjithë duhet ta mbështesim iniciativën e klubit për gjashtë vite radhazi. Do të jemi gjithmonë aty për të dhënë kontributin tonë”, ka thënë Kaçe në fjalën e tij. Në fund të konferencës, ai bëri një foto me të gjithë të pranishmit.