Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi, zhvilloi sot një vizitë në Panairin e Punës në Pallatin e Kongreseve, ku mori pjesë në aktivitetin e Dhomës Kombëtare të Zejeve, e cila sapo është krijuar në bazë të ligjit të ri për Zejtarinë në Republikën e Shqipërisë. Fokusi i Ligjit të Zejeve është nxitja e veprimtarisë së zejeve dhe organizimi i subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi e konsideroi si një hap shumë të rëndësishëm bashkimin e zejtarëve në Dhomën e tyre,  pasi zejet nxisin punësimin.

“Por, që të bëjmë këtë, na duhet që t’i rregullojmë dhe t’i stimulojmë, dhe gjithashtu t’u japim mundësi të gjithëve atyre që janë zejtarë që të kenë aftësi për të trashëguar atë që dinë dhe për t’ua mësuar brezave të rinj me të njëjtën cilësi". Ministrja shpjegoi se për të nxitur zhvillimin e këtij sektori AIDA ka vënë në dispozicion dy fonde : artizanati dhe start-up. Kryesisht, fondet e Artizanatit janë të dedikuara për ato që merren me art, që prodhojnë produkte hand-made dhe i tregtojnë brenda vendit, ose edhe jashtë vendit për eksport. Ndërkohë, duhet të gjejmë disa forma shumë inovative për të promovuar zejtarinë tonë, atë që e kemi traditë dhe jemi përpjekur në gjithë këto vite ta ruajmë”, tha Ministrja Ekonomi.

Aktiviteti u organizua nga Biznes Albania që ka marrë përsipër të promovojë ligjin e ri të zejeve. Në fjalën e tij presidenti i Biznes Albania, z Luan Bregasi vlerësoi ligjin e ri të zejeve dhe tha se krijimi i dhomës është nga projektet më të rëndësishme dhe më të bukura për sipërmarrjen private, sepse i ka munguar tregut të punës, strukturës së biznesit, një dhomë e konsoliduar për gjithë sipërmarrësit e vegjël, për zanatçinjtë.