Trajneri De Biazi do të ndryshojë gati gjysmën e formacionit startues të ndeshjes me Italinë, të cilën e humbi 2-0 në “Renzo Barbera” të Palermos, më 24 mars. Duke qenë se bëhet fjalë për një miqësore, ku rezultati nuk ka asnjë vlerë klasifikimi për në “Rusia 2018”, u duhet dhënë Shansi edhe lojtarëve të tjerë kuqezinj, që të tregojnë veten. Trajneri i kombëtares, me këtë lëvizje, gjithashtu, tenton të rrisë kohezionin brenda grupit, teksa braktisja për mosaktivizim e Taulant Xhakës i ka dhënë një goditje jo të vogël drejtimit të 60-vjeçarit nga Sarmede.
Pesë janë emrat e rinj, që do ta nisin si titullarë sfidën e sotme, ndaj Bosnje Hercegovinës, në orën 18:00, në “Elbasan Arena”. Duke nisur nga mbrojtja, sepse porta do t’i besohet sërish Strakoshës, duke dashur t’i ofrohet atij vazhdimësi dhe konfirmim. Në qendër të prapavijës do të debutojë Albi Alla i Kukësit, në vend të Arlind Ajetit. Në të majtë rikthehet Naser Aliji, që do të lërë pushim kapitenin Ansi Agolli. Azdren Llullaku do të bëjë “pistonin” në krahun e majtë të mesfushës, ndërsa në krahun tjetër ka vend për Jahmir Hykën. Edhe maja e sulmit ndryshon, me Bekim Balajn në repartin e përparmë. Veç Strakoshës, nga startuesit e kualifikueses ndaj Italisë, mbijetojnë Hysaj dhe Veseli në mbrojtje, Basha dhe Memushaj në qendër të mesfushës, Kukeli, që spostohet mes prapavijës dhe mesfushës. Kuptohet, duke qenë miqësore, pritet të ketë jo pak zëvendësime, duke iu dhënë mundësia e aktivizimit dhe për të treguar veten edhe elementëve të rinj, që janë afruar rishtas në kombëtare, të tillë si Grezda, Latifi e ndonjë tjetër.