“Legalizimet, Durrësi mikpritësi i madh” është titulli i librit i promovuar mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar, me autor kreun e Aluiznit Flamur Gjuzi. Libri në fjalë trajton problematikën e legalizimeve gjatë tre viteve të fundit në qarkun e Durrësit duke dhënë detaje dhe shifra rreth procesit të legalizimit të ndërtimeve informale.
Në aktivitetin e zhvilluar në pallatin e kulturës ka qenë i pranishëm kryetari i kuvendit Ilir Meta bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi, ministri i Mjedisit Lefter Koka, drejtori i përgjithshëm i Aluiznit Artan Lame si dhe krerë të pushtetit vendor në Durrës.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e tij theksoi se “ndonëse nuk e kam lexuar librin, unë vlerësoj punën e Flamur Gjuzit si drejtor i Aluiznit pasi është shembull i zyrtarit të përgjegjshëm dhe bashkëpunues duke arritur këto rezultate me legalizimet”.
Vetë autori i librit Flamur Gjuzi ëhstë shprehur se puna trevjeçare e pasqyruar me detaje në këtë libër është meritë e gjithë stafit të Aluiznit të Durrësit dhe pa një bashkëpunim të mirë me tre bashkitë e qarkut nuk do të ishin këto rezultate që janë sot.
Në qarkun e Durrësit janë dhënë në tre vitet e fundit më shumë se 25 mijë leje legalizimi në total.
K.H.