Principata e Monte Karlos është në gjendje të jashtëzakonshme pasi disa persona kanë grabitur dyqanin e famshëm të gjigantit të bizhuterive, “Cartier”.
Grabitja është ndër më spektakolaret, pasi ka pasur edhe të shtëna me armë në një tunel aty pranë, por sa për të shpërqendruar rojet e sigurisë.
Një person është plagosur lehtë nga të shtënat, ndërsa ende nuk dihet se sa bizhuteri kanë marrë autorët e grabitjes.
Ndërkohë mësohet se i plagosur ka mbetur njëri prej grabitësve. Policia ka gjetur automjetin e tyre, të djegur disa kilometra më tej.
Sipas DailyMail deri tani janë prangosur dy prej grabitësve, njëri prej të cilëve i plagosur, ndërkohë që grabitësi i tretë ka mundur t’ia mbathë.
Grabitja ka ndodhur para syve të qindra turistëve, që kanë parë të tronditur arratisjen e grabitësve.
Dy vjet më parë, në 2015-ën, një dyqan Cartier, afër Kanës, u grabit. Në atë kohë, grabitësit morën me vete bizhuteri me vlerë 15 milion paund.