Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar ankimimin e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e masës së sekuestros mbi 25 pasuri të vendosura nën kontroll nga drejtësia.

Vendimi i shkallës së dytë lë në fuqi atë të dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme, ndërsa edhe Gjykata e Lartë ishte shprehur më parë për këtë çështje, duke mos ndryshuar masën e sekuestrimit.

Pasuritë u sekuestruan në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për dosjen “Partizani”, ku Malltezi dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë marrë të pandehur.

Pasuritë e sekuestruara kanë një vlerë rreth 5.4 milionë euro. Ndërkohë, sipas raportimeve, vetëm në emër të Jamarbër Malltezit rezultojnë të deklaruara rreth 35 pasuri në Shqipëri, me vlerë që arrin në dhjetëra miliona euro.

Hetimet e SPAK kanë evidentuar gjithashtu pasuri jashtë vendit, për të cilat prokuroria ka verifikuar pagesa bankare. Bëhet fjalë për apartamente në disa qytete evropiane, mes tyre Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest.

Sipas të dhënave të bëra publike, vetëm pagesat e dokumentuara për këto prona arrijnë në:

-rreth 450 mijë euro për një apartament në Mynih;

-rreth 395 mijë euro për një apartament në Bruksel;

-rreth 360 mijë euro për një apartament në Roterdam;

-rreth 155 mijë euro për një apartament në Budapest;

Këto vlera janë bazuar në transfertat bankare të evidentuara nga SPAK gjatë hetimit, ndërsa vijimi i hetimeve pritet të përcaktojë nëse ka pasuri të tjera të padeklaruara.

Dosja “Partizani” lidhet me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.