Modelja shqiptare Beniada Jakiç do të jetë një nga “ekspertet” e përzgjedhur nga radio “RTL 102.5”, për të treguar emocionet e ndeshjes Itali-Shqipëri të së premtes. Beniada e ka pasion futbollin dhe klubin e Milanit, siç ka treguar ajo vetë për mediat italiane.
“Një pasion i trashëguar nga ish-i dashuri im futbollist, emrin e të cilit nuk dua ta bëj publik”, theksoi 25-vjeçarja e cila aspiron të bëhet artiste e njohur.
“Jam e rritur në një familje artistësh nga të cilët kam trashëguar pasionin për artin, në të gjitha aspektet dhe që më shtyu të diplomohem në Akademinë e Arteve të Riminit”, shpjegon ajo.
Për momentin, karriera e ka shtyrë drejt modelimit, por po bën kurse diksion sepse ëndërron që t’i jepet mundësia që në të ardhmen të drejtojë një emision të sajin, duke marrë si shembull Mishel Hunziker. Nëse në Itali njihet më shumë si modele e veshjeve intime, në Shqipëri ajo njihet edhe për faktin se është mbesa e presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
“Në vendin tim kanë folur shumë për mua falë kalendarit edhe për faktin se jam mbesa e presidentit të Shqipërisë. Të premten do të kem një luftë në zemrën time, pasi tani jam shumë e lidhur me Italinë”, shpjegoi Beniada para sfidës mes kaltërve dhe kuqezinjve.