Urgjenca e spitalit të Durrësit po përballet me një volum të madh pune. Fluksi i madh i pacientëve që i drejtohen bluzave të bardha për vizita mjekësore ka bërë që të gjithë shtretërit të jenë të zënë.

Një qytetar durrsak që i ishte drejtuar urgjencës, pasditen e sotme, shkruan në redaksinë e DurrësLajm se i është dashur të presë më shumë se 20 minuta në këmbë, derisa mjeku i rojes të mbaronte me pacientët e tjerë në rradhë.

Virozat e stinës duket se kanë rritur mjaft numrin e të sëmurëve dhe punën e bluzave të bardha në urgjencën e spitalit të Durrësit.

Megjithëse mjekët përpiqen t’u ofrojnë ndihmën e parë sa më shumë pacientëve, numri i madh i këtyre të fundit bën që të krijohen rradhë dhe vonesa, që për shumë të sëmurë shpesh janë edhe të padurueshme.

Burime spitalore bëjnë të ditur se javën e fundit fluksi i pacientëve ka qenë i lartë, pasi të prekurit nga virozat e stinës si dhe të sëmurët kronikë që vuajnë nga sëmundjet e zemrës apo hipertensioni i janë drejtuar shpesh urgjencës së spitalit të Durrësit për të marrë ndihmën e parë.