Policia greke zbuloi 8 pako me eksploziv në një zyrë postare në Athinë. Pakot ishin të destinuara për në zyrat e institucioneve ndërkombëtare jashtë vendit. Dyshohet se dërguesit synonin ripërsëritjen e sulmit të javës së kaluar në Paris, ku u plagos një punonjëse e FMN-së.
Policia greke sekuestroi 8 pako bombë në një zyrë postare në Athinë. Bëhet fjalë për pako të mbushura me eksploziv që ishin adresuar për t’ju dërguar personaliteteve dhe institucioneve të rëndësishme në shtete të ndryshme europiane. Ndër objektivat ishin institucionet financiare ndërkombëtare.
Hetuesit thanë se ka shumë gjasa se dërguesit synonin të ripërsërisnin ngjarjet e javës së kaluar në Berlin dhe Paris. Një punonjëse e zyrave qendrore të Fondit Monetar Ndërkombëtar u plagos të enjten në Paris. Ajo mori plagë në fytyrë dhe duar pasi hapi një pako të mbushur me eksploziv që e kishte marrë nga kutia postare. Të mërkurën e kaluar, edhe në zyrën e Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin, policia gjeti një pako me eksploziv.
Në të dyja këto raste, hetuesit thanë se dërgues ishin pjesëtarët e grupimeve të ekstremit të majtë grek “Komploti i celulave të zjarrit”. Organizata, mesa duket është riaktivizuar pasi u shpërbë pak vite më parë me arrestimin e disa eksponentëve në Greqi. Veçanërisht grupet e ekstremit të majtë në Greqi shohin si përgjegjëse të krizës së rëndë ekonomike të viteve të fundit, institucionet ndërkombëtare. /ABC News/