Një histori e denjë për një skenar filmi. Kështu mund të konsiderohet jeta e Bashkime Sulejmanit, 40-vjeçares që u shit nga familja te një shqiptar nga Kosova 40 vjet më i madh në moshë, për 6 mijë euro.
Bashkimja që jetonte në një fshat të thellë të Shkodrës e ka mësuar një gjë të tillë 4 vite më vonë, ndërsa sot ka vendosur ta ndajë dhimbjen dhe poshtërimin që i është bërë nga familja në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24.
“Kur shkova në maternitet për të lindur djalin mora vesh që Ahmeti i kishte edhe tre gra të tjera dhe dy palë fëmijë. Nga ta dija, ai më kishte mbajtur vetëm brenda sapo shkova në Prishtinë”, rrëfen ajo mes lotësh historinë e dhimbshme.
“Ai donte të më merrte vetëm djalin dhe ta regjistronte në emër të gruas tjetër. E kuptova çfarë qëllimi kishte, nuk pranova. Pas dy muajsh më kërkoi të dilja nga banesa dhe më rrahu se donte që të flinte me atë”, rrëfen ajo ndër të tjera.
E ndjerë e poshtëruar dhe e fyer, Bashkimja vendos të ikë nga bashkëshorti, por kur shkon pranë familjes merr vesh të vërtetën e dhimbshme, nëna i tregon se e kishte shitur.
“Unë jam kthy, s’kam kenë lopë me më shit. Do të vrasin më thanë në shtëpi, se ne kemi marrë lekë”,- tregoi Bashkimja.
Sot ajo jeton vetëm me Albin, djalin 8-vjeçar, pasi i ka shpëtuar dhunës së vazhdueshme të Ahmetit dhe ndihmohet nga kisha protestante. Ajo kërkon ndihmë, pasi personi me të cilin ka bashkëjetuar kërkon t’i marrë djalin, dritën e syve të saj, lumturinë e vetme që ka pasur në jetë.
Kur të shiti familja, ai jetonte me gruan tjetër?
Familja ime e ka njohur burrin përmes mblesit. Ahmeti kërkonte grua në Shqipëri me rrena. Po ai jetonte me gruan e Mitrovicës kur më shiti familja për 6 mijë euro. Dy muaj fejuar me mua, e ndau atë.
Kush është frika më e madhe përballë gjykatës?
Unë e falënderoj gjykatën që e kanë akuzuar Ahmetin për djegien e banesës, për dhunë ndaj meje për moskujdes ndaj fëmijës.
Sa e ka kërkuar Albi atë?
Deri në 6 vjeç e ka kërkuar. Dy vjet e ka kërkuar. Albi ka marrë 60 euro social në muaj. Asnjëherë 100 euro sa ka caktuar Gjykata.
Po ai e ka gjendjen ekonomike të mirë apo jo, përse nuk përgjigjet për djalin?
Po e ka, nuk e di pse nuk do t’ia dijë. I kam thënë ke çfarë ke me mua është tjetër gjë.
Po djali nuk e ka takuar babain?
Djali e ka parë babën shumë në ëndërr. I thosha çfarë ke, djali qeshte e thoshte e kam parë babin në ëndërr. Prej tij shkova në qendrën sociale për të bërë kërkesë që të shihte djalin. Por një babë që nuk do të takojë djalin e tij dhe thotë ishalla të vdes djali që të shkosh në psikiatri nuk është babë.
(BalkanWeb)