Përplasja e këngëtarit Arkimed Lushaj me regjisorin Leonard Bombaj duket se është rikthyer, ndërsa mes dy artistëve ka ndërhyrë policia, raporton “Panorama”.

Stresi kësaj here nuk është shpallur në kërkim, siç ishte deri para pak javësh, deri sa kërkimi ndaj tij u shua, por është marrë në hetim në gjendje të lirë.

Policia ka nisur procedim penal ndaj tij, pas një incidenti që ka shkaktuar në gjimnazin “Partizani”, në Tiranë, duke i derdhur një kovë me ujë në trup regjisorit Leonard Bombaj.

Ngjarja ka ndodhur në prezencën e rreth 600 gjimnazistëve, që ishin të pranishëm në këtë aktivitet, ku Bombaj po prezantonte projektin e tij më të ri për arritjen e një rekordi “Guinness” me 2017 vetë në Tiranë. Stresi, që banon shumë pranë vendit ku po zhvillohej aktiviteti, duket se ka kujtuar incidentin që pati me Bombajn 6 vite më parë, kur e akuzoi për një ngjarje shumë të rëndë, por që në përfundim të gjykimit, ishte ai vetë që u dënua nga Gjykata.

Në vitin 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor Stresin dhe 4 shokët e tij, mes të cilëve edhe vajzën që ka qenë imazhi i “Sirea Film”, për të cilën ata akuzonin regjisorin Bombaj se kishte abuzuar seksualisht me të. Ata u dënuan për një gjobë 20 mijë euro që i kishin vendosur Leonard Bombajt, në mënyrë që të shpëtonte nga denoncimi fals për abuzim me të miturën.