Nga kupa te kampionati. Kur ka kaluar diçka më shumë se një muaj nga çerekfinalja e kthimit në Kupën e Shqipërisë, Vllaznia dhe Teuta do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës këtë herë për të tentuar Europën nëpërmjet kampionatit. Të gjithë besoj i mbani mend ato 10 minuta të çmendura të sfidës së "Niko Dovanës" me Teutën që falë një goli të Hilës nga pika e bardhë e penalltisë dhe një finalizimi të bukur të Prognit arriti të linte thatë kuqeblutë e Armando Cungut duke eliminuar Vllazninë nga Kupa. Ai kualifikim i vuajtur që solli edhe revoltat e skuadrës shkodrane për një penallti të dyshimtë dhe për një prekje të topit me dorë nga një lojtar i Teutës në rastin e golit të dytë, i shërbeu si një pikënisje skuadrës së Maganit, pasi që nga ajo periudhë Teuta ka treguar rritje në lojë duke marrë edhe disa rezultate pozitive radhazi me përjashtim të sfidës së fundit ndaj Luftëtarit.
Në "Loro Boriçi" këtë fundjavë në sfidën që do të mbyllë javën e 26-të të Superiores Vllaznia do të kërkojë revanshin ndaj djemëve të detit. Në kampionat kuqeblutë u kanë marrë 4 pikë durrsakëve. Me eliminimin nga kupa, vendi i 4-t është opsioni i vetëm i Vllaznisë për të kapur Europën, edhe pse jo gjithçka është në dorë të shkodranëve, sepse që ky pozicion të të çojë në Europa League në fund të sezonit, duhet që Kupën e Shqipërisë ta fitojë, Skënderbeu. Në Shkodër kanë gjetur te Elis Bakaj goleadorin që u mungonte dhe për të mposhtur Teutën kanë nevojë për një paraqitje të ngjashme si në sfidat e fundit nga ana e 29-vjeçarit. 2 pikë larg e ka Vllaznia vendin e 4-t, të cilin aktualisht e mban Luftëtari. Me 10 pikë të grumbulluara në sfidat e fundit kuqeblutë janë një nga skuadrat në formë të kampionatit, vetëm skuadrat që luftojnë për titullin kanë marrë një pikë më shumë se shkodranët në këto 5 javë. Megjithatë problemi më i madh i kësaj Vllaznie është se nuk di të ruajë ritmin dhe të fitojë atëherë kur vërtetë ka nevojë.
Në Shkodër e kanë të vështirë të mbajnë presionin që të jep pjesa e sipërme e tabelës së klasfikimit dhe në këtë aspekt trajneri Cungu duhet të punojë shumë. Vendin e 4-t e synon edhe Teuta sepse 6 pikët diferencë me Luftëtarin në një kampionat kaq shumë të rivalizuar nuk janë shumë. Në "Loro Boriçi", djemtë e detit do të kërkojnë të ringrihen pas asaj humbjeje ndaj gjirokastritëve në shtëpi, por që misioni për Teutën nuk do të jetë i lehtë përballë një Vllaznie që po vjen shumë në rritje në sfidat e fundit. Kuqeblutë kërkojnë hakmarrjen ndërsa durrsakët janë gati për ti vendosur një tjetër stërkëmbësh, Vllaznisë, e sigurtë është që në Shkodër këtë të dielë do të zhvillohet një finale e parakohshme për Europën.