*Punimet vijojnë me tre turne.
Sheshi “Veliera” ka filluar të marrë pamjen e një projekti në realizimin e tij final.
Pavarësisht kundërshtive të mëdha dhe konfliktit të hapur midis Bashkisë së Durrësit dhe shoqërisë civile, për të ardhmen e zonës në qendër të Durrësit, punimet në sheshin “Veliera” kanë ecur me ritme shumë të larta. Tuneli nëntokësor që nis nga godina e Bankës Kombëtare, është strukturuar në rreth 50% të tij, pasi punimet kanë ecur deri tek ish-kryqëzimi i Rrugës Tregtare me hyrjen e portit.
Pothuajse 24 orë në ditë punimet nuk janë ndërprerë në 3 prej katër pjesëve të këtij sheshi, nga firma ndërtuese.
Tuneli zë fill në ish-shtratin e rrugës kryesore nga Banka Tregtare dhe përfundon në kuotën zero përpara godinës së Torrës Veneciane.
Aktualisht është duke u gërmuar në shtratin e rrugës nga ish-kryqëzimi i Rrugës Tregtare aty ku doli një prej topave të shekullit 1800, për të vijuar me tunelin deri para monumentit të Mujo Ulqinakut, aty ku edhe përfundon pika zero e tunelit nëntokësor.
E gjithë kjo hapësirë është përcaktuar për shesh për këmbësorët, duke iu dhënë përparësi këtyre të fundit.
Aktulisht me vendim gjykate është ndërprerë puna në një sipërfaqe të caktuar përpara kompleksit “FLY”, ku u zbuluan edhe themelet e një godine të periudhës mesjetare. Në themelet e kësaj godine sipas projektit do të ndërtohet këmba e një vele.
Për Bashkinë e Durrësit projekti “Veliera” nuk ka kthim pas dhe këtë e tregojnë edhe punimet që vijojnë me tre turne. Ministria e Kulturës dhe autoritetet në varësi të saj, duhet të kishin dhënë një vendim final për të ardhmen e zbulimit arkeologjik, nëse duhet të ruhet, apo nëse do të lejohet ndërtimi i këmbës së “Velierës”. Deri tani nuk është dhënë asnjë vendim për këtë sajt arkeologjik, ndërsa opinioni publik ka qëndrime kundër në lidhje me ndërtimin e Velierës.
K.H.