Përgjithësisht kur është fjala për shëndetin, gratë janë shumë më mirë se sa burrat. Para periudhës së menopauzës, rreziku që ata të preken nga sëmundje zemre apo ataku kardiak është substacialisht shumë më i vogël se tek burrat. Por kur vjen puna tek varësitë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Kapërcimi i varësisë nga droga, abuzimi me alkoolin apo duhanpirja është më i vështirë për gratë.
Deri së fundmi, efektet negative të duhanpirjes janë studiuar kryesisht tek burrat. Por, revista “The Lancet” ka publikuar së fundmi një studim ku thuhet se duhanpirja shkurton jetëgjatësinë e grave me një mesatare prej dhjetë vitesh.
Ky rezultat kishte ardhur nga studimi i kryer me 1.2 milionë gra të moshave 50-69-vjeçe në Britaninë e Madhe, të cilat u ndoqën nga afër për rreth 12 vite.
Në fillim të studimit dhe tre vite më vonë ata u pyetën për stilin e tyre të jetesës dhe zakonet. Gjatë 12 viteve të studimit një total prej 60 000 grash vdiqën. Në fillim të studimit 20 për qind e grave ishin duhanpirëse, 28 për qind e kishin lënë duhanin, ndërsa 52 për qind nuk kishin pirë kurrë duhan.
Rreziku për të vdekur i atyre që vazhduan të pinin duhan për tre vite ishte tri herë më i madh se i grave që nuk kishin konsumuar kurrë duhan.
Dhe sa më shumë cigare që pinin, aq më i madh ishte rreziku.
Autorët e studimit arritën në përfundimin se sëmundjet që kanë lidhje me duhanpirjen, përfshirë sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe ataku, ishin përgjegjës për 66 për qind të vdekjeve të grave mes moshës 60-80-vjeçare. Ky është ndër studimet e para të këtij lloji, i cili tregon se efektet e duhanpirjes tek gratë nuk janë më të buta se tek burrat. Duhanpirja në mesin e grave para vitit 1940 ishte tepër-tepër e rrallë, prandaj ekzistojnë studime të vjetra në këtë fushë.