Një alarm për bombë në avionin e pasagjerëve të linjës Athinë-Vilnius bëri që fluturimi të devijohej dhe aeroplani të bënte një ulje të detyrueshme në Minsk.
Duket se e gjithë ngjarja ka qenë pjesë e një plani për të arrestuar gazetari opozitar, Roman Protasevich që ndodhej në bord. Mësohet se Bjellorusia e ka detyruar avionin të ulej në aeroportin e saj në mënyrë që të arrestonte gazetarin kritik ndaj qeverisë.
Protasevich, i cili ka përfunduar në pranga dhe tanimë përballet me dënimin me vdekje, njihet si mbështetës i opozitares së njohur Sviatlana Tsikhanouskaya.
Ai është një gazetar dhe aktivist i njohur që ka kundërshtuar regjimin e Lukashenkos dhe ka qenë nga kritikët më të fortë gjatë protestave 6-mujore në Bjellorusi. Gazetari e ka konsideruar udhëheqësin bjellorus si “diktatori i fundit i Europës”.





