Mesfushori i Teutës, Ardit Hila, paralajmëron shokët e skuadrës se duhet të kenë kujdes Luftëtarin. Lojtari elbasanas flet për momentin e mirë që po kalon skuadra dhe ndeshjen e radhës. Sipas tij, gjirokastritët kanë një grup të mirë lojtarësh dhe mund të surprizojnë në çdo fushë.“Kemi një mundësi të mirë që të marim tre pikë në shtëpinë tonë ndaj Luftëtarit. Po përgatitemi siç duhet dhe skuadra duket në formë të mirë. Shpresoj që të marrim fitore në këtë përballje, por duhet shumë kujdës, pasi kundështarët kanë një ekip të fortë dhe mund të surprizojnë. Duhet ta eliminojmë euforinë, të mos e marrim si ndeshje të lehtë apo që luajmë në shtëpinë tonë, por të jemi të përqendruar të sigurojmë tre pikë.Unë mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur deri në minutën e fundit. Nuk duhet të rrëshkasim pikërisht në këto momente, kur jemi në formën tonë më të mirë. Edhe trajneri Magani na ka kërkuar shumë kujdes, pasi duhet të luajmë si në ndeshjet e kaluara, në të kundërt do ta pësojmë”, – ka thënë fillimisht Hila, i cili u bë protagonist me goditjen që solli golin e shënuar nga Musta në transfertën e Korçës.
Sipas mesfushorit, e rëndësishme është që skuadra të mbijetojë. “Në këtë fazë kemi treguar se jemi në formë të mirë dhe kjo falë punës që ka bërë tranjeri me lojtarët. E kemi thënë edhe më parë, që nëse luan bukur, edhe rezultatet do të vijnë. Fatmirësisht rezultate kemi arritur dhe kjo bën që të kemi edhe më shumë besim në vetvete, duke iu larguar fundit të tabelës”, – ka përfunduar mesfushori i Teutës. Ndërkohë, ndaj bluzinjve durrsakët do të vuajnë mungesën e mesfushorëve Progni e Çyrbja, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve.