Pikërisht 20 vite më parë, marsi i 1997-s ishte në gjendje te jashtëzakonshme në Shqipëri, ku kishte plasur një luftë civile, njerëzit ishin armatosur dhe dhunonin institucionet shtetërore, e po ashtu shumica prej tyre kishin humbur shuma marramendëse në piramidat e fajdeve.
Një ndër firmat piramidale, e cila mashtroi shqiptarët, ku iu kërkonte të fusnin në të lekë me shpresën se do t’i shumëfishonte shumat e tyre në pak kohë, është Sudja. Sudja ishte e para kompani rentiere që u rrëzua në Tiranë, dhe u arrestua më 15 janar nga policia dhe lekët që iu gjetën iu bllokuan për t’iu shpërndarë qytetarëve. Vetë Sudja shprehet se falimentimi i firmës së saj ishte nga konkurrenca.
“Konkurrenca bën që një do falimentonte, unë isha femër pa përkrahje, isha vetëm , ndihmë s’kisha, dhe u arrit falimentimi, megjithëse bëja manovra për të mos falimentuar”, shprehet ajo, shkruan “Opinion.al”.
Kujtojmë që kjo firmë u krijua në vitin 1993 nga Maksude Kadëna, ajo kishte punuar në fabrikën e këpucëve. Kjo firmë ekzistoi në gjysmë-ilegalitet deri në vitin 1996, kur dy javë para zgjedhjeve u regjistrua tek e njëjta gjykatë dhe gjyqtare ku u regjistruan Xhaferri dhe Populli. Loja e parë mashtruese e Sudes, e quajtur Fitorja, është pranuar si iniciativë personale e Xhaferrit. Sudja nuk kishte llogari bankare, prandaj me falimentimin e saj humbën edhe paratë e futura aty. E çuditshmja është se kur u arrestua Sudja u gjet duke ngrënë bukë me gjizë në një apartament të shkatërruar. Falimentimi i saj nxiti disa protesta në Tiranë, ku ishte edhe zona e saj e veprimit. /opinion.al/