“Ndihet mirë kur unë ndodhem aty pranë, kjo i jep siguri. Të paktën kështu e lexoj unë sjelljen e tij…Ndaj kurdoherë që dal nga shtëpia, jam në kafe me ndonjë miken time etj, jam e vëmendshme të mos e kaloj orën kur ai është duke me pritur në shtëpi.”

Ata kanë më shumë se 50 vite së bashku dhe koha që kalon, vetëm sa i afron. Kush thotë që me kalimin e viteve rutina i largon dy të martuar?  Nevoja për t’i qëndruar njëri-tjetrit pranë është e qenësishme për ta tashmë. Në orën që ai kthehet në shtëpi, Helena kujdeset që të jetë gjithmonë aty.

Në një intervistë të saj për Tiranapost.al, ajo ka thënë se nuk e shkel kurrë këtë rregull. “Duke e ndier se ai ka nevojë për këtë prani përse ta nervozoj me mungesën time?”, ka thënë ajo.E imagjinojmë që tani jeni tërë sy e veshë për të dëgjuar sekretin e kësaj martese jo vetëm jetëgjatë nga vitet, sepse e tillë mund të jetë çdo martesë që numëron mbi 20, 30 apo 40 vjet, por jetëgjatë nga pikëpamja e unitetit, e të qenit një bërthamë e vetme rreth së cilës vërtitet universi i bërë një tashmë.

“Për mendimin tim, mënyra më e mirë është që mos të kërkosh asnjëherë ta ndryshosh tjetrin sipas shijeve të tua. Personi që ke zgjedhur të ka joshur pikërisht me ato cilësi apo defekte që ai ka. Kur ke vendosur ta lidhesh jetën me të e ke marrë në sy këtë gjë. Pra pranoje kështu dhe respektoja individualitetin që ka. Në të kundërtën do humbasësh veten por edhe dashurinë. E them me bindje këtë”, do të ishte këshilla e Helenës, e cila vlen dyfish, e thënë nga një grua që nuk i pëlqen të japë këshilla, madje as kur bëhet fjalë për familjen e saj./Tiranapost.al/