*Trajnim dy-ditor për 50 mjekë dhe infermierë të shërbimit të Urgjencës së spitaleve Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Sarandë
*Nisma në kuadër të projektit për “Përmirësimin e shërbimeve të urgjencës në zonën bregdetare”
Është zhvilluar në Tiranë trajnimi i dytë me 50 mjekë dhe infermierë të shërbimit të Urgjencës së spitaleve Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, në kuadër projektit për “Përmirësimin e shërbimeve të urgjencës në zonën bregdetare” që realizohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Rajonin e Toskanës (Itali), në kuadrin e Programit italo-shqiptar të konvertimit të borxhit IADSA.
Programi, i cili ka ofruar rreth 320 mijë euro pajisje mjekësore, të teknologjisë më bashkëkohore dhe aparatura moderne jetëshpëtuese, në të 5 urgjencat spitalore, mundësoi gjithashtu edhe kurse trajnimi nga ekspertët e Rajonit të Toskanës për personelin e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore të pesë spitaleve të zonës bregdetare, për rritjen e tyre nga ana profesionale.
Ky trajnim, i cili u zhvillua përgjatë dy ditëve, kishte në fokus shërbimin e Reanimacionit dhe përdorimin e pajisjes së monitor defribrilator si për grupmoshat e rritura ashtu edhe për fëmijët. Trajnimi u zhvillua në dy rrafshe, në atë teorik por edhe në rrafshin praktik. Trajnimi u drejtua nga mjekët e ardhur nga Rajoni i Toskanës, Dr. Paola Innoncenti, Dr. Paola Calzolari, mjek reanimator si dhe nga Dr. Francesco Mannelli.
Ky ishte trajnimi i dytë që zhvillohet ndërsa është parashikuar të zhvillohen edhe dy trajnime të tjera. Procesi i trajnimit do të përfundojë brenda muajit prill në mënyrë që personeli mjekësor që shërben në Urgjencat e pesë spitaleve bregdetare të vendit të jenë të gatshëm për të shërbyer gjatë sezonit turistik.
Shërbimi i Urgjencës në të pesë spitalet e vendit, që përfitojnë nga ky projekt, Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, është pajisur me pajisje mjekësore, të teknologjisë më bashkëkohore dhe aparatura moderne jetëshpëtuese, në mënyrë që të jenë të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve që do të kenë të nevojë.
Në shkallë vendi, shërbimi i urgjencës deri vjet i cunguar në mjete dhe në kapacitetin pritës, sot ka 127 autoambulanca nga 70 që numëronte më parë, si dhe 500 të punësuar rishtas i janë shtuar personelit të këtij shërbimi. Qeveria do të miratojë së afërmi për personelin mjekësor të këtij shërbimi një rritje page prej 25 % krahasuar me pagat aktuale. Kurse në zonat turistike, funksionojnë tashmë përgjatë sezonit veror 25 Qendrat Shëndetësore, të cilat ofrojnë shërbime mjekimi dhe ku gjatë sezonit të kaluar turistik, rreth 45 mijë persona morën shërbim të menjëhershëm shëndetësor.