Festa e gruas ka sjellë dyndje në rrugët e qytetit të Durrësit, ndërsa të gjithë lokalet e restorantet janë prenotuar qysh më herët për festimin e 8 Marsit.
Atmosfera festive është ndjerë në çdo cep të qyetit të Durrësit, jo vetëm me urimet që shkëmbeheshin në drejtim të të gjitha femrave dhe nënave, por edhe nga lulet e shumta të cilat u janë dhuruar në këtë ditë grave.
Të veshura lehtë, në këtë fillim pranvere, gratë ia kanë dedikuar këtë ditë vetes së tyre, duke lënë mënjanë angazhimet e tjera e duke u kujdesur që të dalin me mikeshat e tyre për një pije, një akullore apo edhe një picë.
Gratë e administratës publike, ato që janë në karrierë, të institucioneve të ndryshme si: Bashkisë, Ujësjellësit, Elektrikut, Spitalit etj, kanë prenotuar në restorante të ndryshme, kryesisht në zonën e plazhit, duke festuar me muzikë për disa orë me radhë me kolektivin përkatës.
Ndërsa ato gra që nuk kanë mundësitë ekonomike, që janë të papuna apo shtëpiake, e që nuk i favorizojnë kushtet, për të shkuar në dreka e festa të ndryshme, janë mjaftuar me një shëtitje buzë detit, me daljen në fotografi në sheshin “Liria”, para bashkisë së Durrësit, me fëmijët e tyre apo mikeshat, duke krijuar edhe ato një atmosferë ndryshe për veten në këtë 8 Mars.
8 Marsi është festa e grave ku në çdo vend të botës zhvillohen protesta e marshime, në kërkim të të drejtave të grave, ndërsa në Shqipëri ndodh përgjithësisht e kundërta. Të gjtha gratë “harbohen” me kolektivin e tyre.
K.H.