Specialistët: I ftohti polar ishte i paparashkuar

Dimri i këtij viti me temperatura që shkuan nën minus 15 gradë celsius, ka shkaktuar dëme shumë të mëdha në gjelbërimin e qytetit, në tharjen e drurëve dekorativë, shkurreve dhe palmave në qytetin e Durrësit.

Selman Lala specialist në ndërmarrjen e Gjelbërimit në qytetinbregdetar deklaroi se 50% e bimësisë në lulishten e shëtitores “Taulantia” e quajtur lulishtja e “katër kontinenteve” është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Bimët e mbjella dy vjet më parë, që vinin nga katër kontinente, rreth 450 të tilla, nuk kanë mundur t’i rezistojnë të ftohtit polar, ndërsa në evidentim e sipër janë edhe drurët dekorativë të palmave të mbjellë në qytetin e Durrësit.

Rreth 50 palma që u shkulën nga punonjësit e Ndërrmarrjes së Gjelbërimit nga lulishtja ku po ndërtohet sheshi “Veliera” janë mbjellë në shëtitore e në vende të tjera. Pritshmëritë janë që vetëm 70% e tyre t’i shpëtojnë tharjes.

Në shëtitoren “Taulantia” nga palmat e mbjella në tre vitet e fundit e deri tani, është evidentuar se janë dëmtuar deri në 10 palma.

Jo vetëm në lulishten tek “Taulantia”, por në të gjtha parqet e tjera po bëhet evidentimi  i dëmeve që është i konsiderueshëm. 

Ndërkohë 190  palmat të cilat janë blerë me tender nga bashkia e Durrësit dhe që qëndrojnë tek ish-parku, kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Këto palma janë të vendosura në vazo dhe po bëhet e mundur të shpëtohen disa prej tyre.

Së shpejti, pritet që të evidentohen me saktësi sa është dëmi i bërë në palmat e qytetit.

Deri një vit më parë Durrësi konsiderohej qyteti i 1000 palmave  si rezultat i investimit të madh që bëri bashkia në drejtim të blerjes së këtyre pemëve dekorative  dhe mbjelljes së tyre.

Palmat janë një traditë në Durrës pasi ato janë mbjellë në shëtitoren e qytetit që në vitet ’70 ndaj mbjellja e këtyre palmave është vazhdimi i traditës që ka qyteti në dekada.

K.H.