Ajo ka mahnitur botën me vokalin e saj. Të gjithë janë mësuar ta shohin të kuruar në detaj, por kësaj here Adele është bërë paksa qesharake në skenë. Ajo ka performuar live në Brisbane, të dielën, ku i është dashur të “luftojë” me një grup insektesh që e sulmonin gjatë gjithë kohës.
E tmerruar, këngëtarja 28-vjeçare ka trembur edhe publikun me të bërtiturat e saj, pasi ndiqej vazhdimisht nga insektet që nuk kishin ndër mend të largoheshin: “Të gjitha po përpiqen të më vrasin” – thërriste këngëtarja, e cila, edhe pse vijonte të qeshte, dukej që e kishte kapur paniku: “E tmerrshme, janë këtu gjatë gjithë kohës. Më falni, nuk jam australiane, nuk më pëlqejnë insektet” – tha Adele në përpjekje për t’i larguar me pëllëmbë, ndërkohë që publiku qeshte dhe argëtohej njëzëri.