Për Armando Sadikun është një moment i artë. Falë tij Lugano dhe Paulo Tramezzani ish-ndihmësi i Gianni De Biasit në kombëtaren shqiptare mund të ëndërrojnë Europën. Për të 4-tën ndeshje radhazi, sulmuesi i kombëtares shqiptare gjeti rrugën e golit në Superligën zvicerane duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje shumë të rëndësishme me rezultatin 2-1 ndaj Laussanes, që e ngjiti Luganon në vendin e 5-t në renditje.
Tashmë fjala mbijetesë as që mund të përmendet më sepse për meritë të Sadikut në vijën e parë të sulmit Tramezzanit në stol dhe një tjetër shqiptari në fushë Ezgjan Alioskit, Lugano ka grumbulluar 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit zviceran dhe kualifikimi në Europa League sezonin e ardhshëm është një mision i arritshëm.
Në javën e 23-të, Sadiku me një gol të bukur pas goditjeje të fortë nga limitet e zonës në minutën e 6-t i hapi rrugën suksesit të Luganos me rezultatin 2-1 ndaj Lausannes. Ky ishte goli i 4-t për kuqeziun që pas rikthimit te Lugano. Trajneri De Biasi mund të fërkojë duart sepse forma e sulmuesit premton shumë dhe Sadiku në superformë do të jetë vlera e shtuar e Shqipërisë në sfidën e 24 Marsit ndaj Italisë në Palermo.
Pas barazimit të Laussanes, me Campon ishte Alioski futbollisti me orgjinë shqiptare por që luan për Maqedoninë ai që realizoi një gol fantastik për t'i dhënë 3 pikëshin e radhës Luganos. Për meritë të dy shqiptarëve në fund të takimit Paulo Tramezzani mori frymë lirisht.
Mbrëmja e së shtunës ishte speciale edhe për një tjetër futbollist të përfaqësues kuqezi. Jahmir Hyka e nisi me fitore aventurën e tij në Major League Soccer. 28-vjecari shtatshkurtër u aktivizua në minutën e 70 në sfidën mes San Jose Earthquakes dhe Montreal Impact duke bërë debutimin e tij në kampionatin amerikan. Hyka i cili te San Jose mban numrin 10 mbi shpinë, në minutën e 85-të u bë protagonist me një asist perfekt për sulmuesin e kombëtares amerikane Wondolowski i cili nuk arriti të realizonte golin e dytë për San Jose-në. Suksesi i skuadrës së Hykës në këtë ndeshje erdhi falë një finalizimi të Godoy në minutën e 17-të.