Skënderbeu i jep asistin që prisnin Kukësit dhe Partizanit. Skuadra e Ilir Dajës pas pesë fitoreve ndalet për herë të parë në kampionat, meritë e Teutës që barazoi 1-1 në strofullën e ujqërve, rezultati i pestë pozitiv radhazi për Maganin. E kishte nisur me dëshirë Skënderbeu me Salihin që u prezantua që në minutën e dytë me Kastratin por goditi jashtë , natyrisht më këmbëngulës vendasit në minutat e para por pa krijuar raste të pastra, me Mustën që i ra këmbanave të alarmit për korçarët në minutën e 18 kur depërtoi në zonë por u vonua duke i dhënë kohë ndërhyrjes së Radas. Teuta me kokën lart dhe bën befasinë e madhe në të 21, kur goditja e Hilës nga jashtë zonës gjen traversën dhe Musta që shfrytëzon si duhet nga afër për të ndëshkuar Skënderbeun.1-0 për Teutën me Skënderbeun që për herë të parë nën drejtimin e Dajës i duhet të ndjekë në kampionat.
Skënderbeu hidhet në kërkim të golit, me Kastratin që rrezikon në goditjen e Salihit në të 38 dhe pjesa e parë mbyllet me Teutën në avantazh. E dyta nis sërish me Skënderbeun kërkues, i afrohen golit vendasit me Sabien Lilajn që gjen rrjetën e jashtme në të 47-tën minutë, menjëherë më pas është dhe James nga jashtë zone. Vuan për të gjetur golin skuadra e Dajës dhe pikërisht atëherë kur dukej se po shkonte drejt një harakiri të pabesueshëm, Skënderbeu ndëshkon Teutën me armën e saj të preferuar, kundërsulmin.
Në minutën e 63 hapësirat e pamata shfaqen për Latifin dhe James, me prishtinaliun që avancon në të djathtë për të dhe në asistin perfekt për nigerian që i paraprin Kastratit në hyrje të zonës. Gjithçka në ekuilibër nga e para me ndeshjen që bëhet edhe më interesante. Madje mund të bëhet shumë më interesante në të 66 kur në goditjen e Artur Maganit me kokë, Orges Shehi tregon se reflekset nuk e kanë tradhëtuar me një pritje vendimtare. Në minutën e 70 vjen momenti i debutimit të Marvin Ogunjimit, blerjes së madhe të dimrit për sulmin, del nga loja autori i golit James, pas përgëzimit të Dajës, belgu e nis me dëshirë, por shkëndijat aty para i japin Liridon Latifi që godet bukur në diagonale në të 83 dhe Salihi që provon befasinë në shtesë, gjithsesi janë vetëm shkëndija me Skënderbeun që nuk arrin të shënojë më dhe mbyllet 1-1, ndalen kampionët, meritë e Teutës, detyrat e shtëpisë mbeten për Kukësin e Partizanin të dielën.