Shpërthimi i Etnës do të prekë atmosferën në disa pjesë të Europës jugore deri në fund të javës, paralajmëron “Accuweather”.
Riaktivizimi i vullkanit në Siçili, sipas faqes së njohur të parashikimit të motit, mund të ndihet deri në Shqiperi, veriun e Greqisë, Maqedoni, juglindjen dhe jugun e Kosovës, si dhe Bullgari.
Përgjatë ditëve në vazhdim, hiri do të përhapet në Italinë jugore, e cila do të përjetojë edhe pasojat më të forta të kësaj situatë, thotë meteorologu Tyler Roys. Ai nuk përjashton mundësinë e një përkeqësimi të cilësisë së ajrit, sepse hiri mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, sidomos te personat më të ndjeshëm.
Nisur nga kohëzgjatja e shpërthimit, perdja e tymit dhe hirit mund të zgjasë për disa ditë. Prania e këtij të fundit në ajër mund të sjellë vonesa të vogla të fluturimeve mbi detin Mesdhe, sidomos atyre në afërsi të zonës së vullkanit.
Ndryshimi i drejtimit të erës mbrëmjen e së enjtes do të sjellë ajër të freskët nga veriperëndimi, por kjo mund ta shtyjë një pjesë të hirit drejt Greqisë, duke sjellë atje një lloj tymnaje gjatë fundjavës.
Etna, vullkani më i lartë i kontinentit të vjetër, nisi të lëshonte mbrëmjen e së hënës llavë dhe hi. Ngritja e këtij të fundit në atmosferë vazhdoi përgjatë ditës së martë. Shpërthimi i fundit madhor i saj është regjistruar në vitin 1992.
Situata e Etnës risolli në kujtesë aktivizimin e beftë të vullkanit islandez “Eyjafjallajökull” në vitin 2010, që mbolli kaosin në qiejt e Europës, kur reja gjigante e hirit e ngritur prej tij pengoi për ditë të tëra trafikun ajror.