Nga Pirro Dollani
Besoj se nuk gjen asnjë durrsak të brezit tim, që nuk e ka njohur Z. Petrit Myshketa, një muzikant që ka punuar si punëtor në ndërmarrje të ndryshme në qytetin e Durrësit, por edhe ka drejtuar grupet artistike. Z. Myshketa rridhte nga një familje tregtarësh, që pushteti popullor u kishte marrë gjithçka. Në pronat e tyre jetonin shefat e komunistëve, ndërsa pjesëtarët e familjes Myshketa jetonin si mos më keq. Dhe jo vetëm kaq! Ironik ishte fakti që Petriti duke qenë një fizarmonicist shumë i mirë, drejtonte grupin artistik të ndërmarrjes, dhe siç dihet, këngët që u mësonte këngëtarëve amatorë ishin të gjitha ditirambe për diktatorin, Partinë, jetën e bukur e të lumtur etj.etj. Ilustrimi më i saktë i formulës: “ne të kamxhikojmë, por t’i në vend që të rënkosh, na këndo”. Dhe Petriti, si shumë Petrita anembanë Shqipërisë, ishin të detyruar “të këndonte e derrit t’i thoshte dajë”.
Por me miqtë e tij të ngushtë, Z. Petrit Myshketa nuk kishte frikë të shprehte mendimet e tij nëpërmjet rrëfenjave alegorike për atë regjim antihuman. Në kohën e diktaturës, asnjë shfaqje nuk mund të jepej, po të mos vinin përfaqësues nga komiteti i partisë së rrethit, (përgjithësisht, punëtorë që ishin bërë instruktorë partie, por që s’e kishin haberin nga arti, pra një lloj përfaqësues të talibanit), për të kontrolluar programin e shfaqjes. Në një nga këto prova të përgjithshme, kompleksi i vajzave doli në skenë dhe po këndonte një këngë kushtuar diktatorit. Petriti ndalon orkestrën në mes të këngës dhe u drejtohet kompleksit të vajzave: “Mor po ç’boni kshtu?! E dini kujt po i knoni? A e dini? Nuk po i knoni babës e momës tuaj, por po i knoni Partisë, partisë që na dhuroi këtë jetë t’lumtun që gzojmë sot. . .” (Dhe me siguri, në atë çast kur theksonte fjalët “jetë e lumtun që gzojmë sot” kujtonte vizitën e fundit që i kishte bërë të vëllait Z. Shpëtim Myshketa, që jetonte në një kompleks barakesh përballë Postës së qytetit! Edhe Shpëtimi kishte mbaruar shkëlqyeshëm universitetin për matematikë, por punonte punëtor në Komunalen e qytetit!) Në këto fjalë të Petritit kishte ironi, sarkazëm, tallje, mllef, por instruktori i partisë shikonte “shqetësimin” e Petritit për t’i kënduar sa më bukur partisë dhe, kështu, Petriti me një gur vriste dy zogj: nxirrte mllefin ndaj atij regjimi që luftën e klasave e kishte politikën kryesore dhe i tregonte Partisë në rreth “sesa shumë i donte”. Sikur të mund të mblidhen historitë, rrëfenjat, anekdotat që tregonte Z. Petrit Myshketa, mund të dalë një libër shumë i mirë për të njohur një anë tjetër të personalitetit të kësaj figure që ka dhënë një kontribut të çmuar në lëvizjen kulturore të qytetit.
Në mbyllje dua të vë një mendim që Petriti e shprehte shpesh me miqtë e tij të afërt, kur filluan lëvizjet studentore e flitej për krijimin e një partie që mund ta udhëhiqte popullin drejt një rendi të ri demokratik. Siç do të shihet më poshtë, Z. Petrit Myshketa ishte skeptik. Ndoshta ngaqë vinte re se shumë nga persekutorët e familjes së tij po mbushnin radhët e këtyre partive opozitare që do t’na sillnin rendin e ri demokratik, apo ndoshta nisej nga fakti se gjatë 50 vjetëve sundim të komunizmit, karakteri i shqiptarit ishte shkatërruar në një fare feje, saqë do të duheshin disa breza për t’u bërë Shqipëria. Thënien e mëposhtme të tij, ma dërgoi me e-mail një miku im, një njeri që e ka provuar në kurriz persekutimin, që edhe pse mbaroi universitetin, u dërgua ushtar në “repartet e punës” (eufemizëm për “burgun”!) dhe kur u kthye nga ushtria nuk i jepnin punë as si punëtor. Kur ra komunizmi, ky miku im, si shumë e shumë shqiptarë, ishte optimist. Por tani mbas 25 vitesh, bashkë me fjalët e Z. Petrit Myshketa, ai më shkruante: “Pendohem që nuk u largova, por kur kisha nanën gjallë, ajo nuk pranoi të lëvizte”. Çdo koment është i tepërt! Kjo gjendje shpirtërore e pjesës më të madhe të popullsisë është pasojë e forcave politike të të gjithë ngjyrave që gjatë këtyre 25 viteve, në emër të popullit kanë vjedhur, plaçkitur e janë pasuruar. Dhe po kështu, në emër të këtij populli çdo forcë politike që vjen në pushtet duan të rrijnë sa më gjatë, mundësisht ëndërrojnë që të përsërisin historinë e viteve ’20, kur fill mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, dhe më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese proklamoi Zogun Mbret të Shqipërisë. Në Shqipëri asgjë nuk përbën çudi! Shqipëria ka nevojë për një forcë të re politike, ku nuk duhet të jetë asnjë nga këta “politikanët” që kanë mbi 25 vjet që po e asfiksojnë shoqërinë shqiptare. Praktika e deritanishme që listat për kandidatët për Kuvendin Popullor përpilohen nga lideri i partisë është plotësisht antidemokratike, i hap rrugë autoritarizmit, krijon kultin e individit dhe listat mbushen me puthadorët e kryetarit dhe ai dalëngadalë shndërrohet në një diktator. Kandidatët duhet të zgjidhen nga bazat e partive në rrethe, dhe populli të votojë për njerëz konkret, me mish e gjak e jo për lista partish, etj. Ja si më shkruan miku im për Z. Petrit Myshketa:
“Kur ishte gjallë, shpesh kur bisedonim se si mund te rregullohej ky vend ai thoshte: merri të gjithë shqiptarët dhe nxirri jashtë vendit; rrethoje gjithë Shqipërinë me tela me gjemba që të mos hyjë asnjeri; punoje të gjithë tokën me traktor martineli që e fut plugun gjysmë metër thellë; dizinfektoje të gjithë vendin me dizinfektant shumë të fortë dhe pas dy ose tre brezash bëj thirrje se kush nga pasardhësit e atyre që janë larguar do të kthehet dhe të punojë për të mirën e këtij vendi dhe të shohim a do të bëhet apo jo.”





