Kanë kaluar pothuajse dy vjet nga ikja e Dr. Florit, ndërsa sot ai do të festonte ditëlindjen. E në këtë ditë, të shumtë janë ata që kanë zgjedhur ta kujtojnë e t'i dedikojnë disa fjalë publikisht Florit.
Një ndër ta është edhe Ermal Mamaqi, i cili ka publikuar një foto me këngëtarin e ndjerë dhe një poezi prekëse.
POEZIA DEDIKUAR FLORIT:
Sot Më mori malli Flor…
Shumë pak e dinë sa humor kishe ti. Sa qeshnim. Kushedi sa muzikë do kishim bërë këto vite që mungon.
Më ka marrë malli për porositë që bëje në lokal, kur ngatërroje banjon me kuzhinën. Kur merrje lypësit në makinë dhe i blije për të ngrënë. Kur qaje me këngët e Kishës. Kur e ndiqje Pastorin më shumë se çdo pjesëtar tjetër i Kishës.
Më ka marrë malli për telefonatat e tua në 3 të natës dhe që pasi unë të pyesja çfarë ka ndodh që merr kaq vonë, ti ma ktheje me pyetje tjeter: – Pse sa është ora?
Më ka marrë malli për videot idiote që bënim me Egin. Për koncertet, festivalet, studiot dhe kafet pa mbarim.
Sa plane mbetën përgjysmë. Sa këngë që nuk kam gjetur forcën t’i përfundoj.
Shtëpia me dru që do bënim në Dajt për fëmijët tanë.
Tashmë ti ke një nip që të ngjan më shumë ty se Albanit. I kanë vënë emrin tënd.
Kaltrina po jep shkëndijat e para që mund të eci në hapat e tua. Ndërsa Danieli bëhet çdo ditë e më i zgjuar. Dhe Blerina që vazhdon jeton me prindërit e tu, si të ishin të vetët, si atëherë…
Ma do mendja se po këndon atje lart. Ndoshta je ulur në prehërin e Zotit dhe po këndon.
Kushedi sa bukur do jetë…
Më mori malli Flor…