Trajnerin e Teutës, Gugash Magani, e ngrohin vetëm tri pikët e fitores 1-0 ndaj Korabit. Tekniku i bregdetarëve u shpreh me rezerva për lojën që ekipi i tij bëri në këtë takim: “Avantazhi ynë ishte që vinim pas një rezultati pozitiv, kurse i Korabit që vinte pa presion. Në këto ndeshje aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm. Po ashtu edhe terreni ndikoi në lojë. Ne krijuam volum dhe raste, por nuk jam i kënaqur me lojën. Më kënaq vetëm rezultati.Skuadra po rritet dita-ditës. Po dëgjoj fjalë që synojmë Kupat e Europës, por objektivi ynë është mbijetesa dhe prej sot do të përqendrohemi vetëm te ndeshja e radhës. Renditja është shumë e ngjeshur dhe tri pikë mund të bëjnë diferencë të madhe.U futëm me formacionin 4-2-3-1 për t’i dhënë Papës mundësi të nxirrte pasimin e fundit, pasi është lojtar që luan mirë me topin. Në pjesën e dytë futëm Bangalin, i cili gjatë javës ka qenë i sëmurë dhe ndryshoi diçka në lojë. Tarik dhe Hila janë lojtarë hapësire, ndaj balancat u prishën disi. Prandaj futëm Shkallën për të ruajtur rezultatin, por patëm edhe raste për të shënuar përsëri.
E nisa me Papën sepse ishte ndeshja më e mirë për ta provuar. Nuk kishte luajtur asnjë minutë në kampionat dhe ndaj Korabit mendoj se ishte rasti më i mirë. Kjo vendosje nuk është e re për ne dhe unë përpiqem të marr më të mirën nga lojtarët që kam në dispozicion. Kurse me dy sulmues nuk mund ta nisim, sepse në krahë kemi Prognin dhe Mustën, që gjithashtu shohin përpara. Duhen ruajtur balancat. Goli shënohet edhe në minutën e parë edhe në të 93-n sikurse ndodhi në Vlorë. E rëndësishme është që skuadra të vërë mendjen para këmbëve. Po ashtu duhet që edhe lojtarët të vrasin frikën edhe kur gabojnë”.