Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur t’ia japë nënshkrimet e deputetëve të tij liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, për marrjen e mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov për formimin e qeverisë së re.
Vendimi u mor pas 10 orësh debat në kryesinë e BDI-së së udhëhequr nga Ali Ahmeti.
Zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani, në prononcimin para gazetarëve tha se kjo nuk do të thotë se kanë vendosur të bëjnë koalicion me LSDM-në.
Osmani tha se përveç formimit të Qeverisë me LSDM-në, alternativë tjetër është edhe mundësia tjetër për të mbetur në opozitë sepse qëllimi i tyre është realizimi i programit dhe jo pjesëmarrja me çdo kusht në Qeveri.
“Dhënia e nënshkrimeve nuk nënkupton edhe pjesëmarrje në qeveri. Një nga opsionet është edhe mbetja në opozitë”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Për t’u mandatuar nga presidenti Ivanov, lideri social-demokrat duhet të sigurojë edhe tri nënshkrimet e Aleancës Shqiptare, me të cilën po ashtu është në bisedime.
Ndërkohë, mbështetjen ai e ka marrë edhe nga Lëvizja Besa.
Kjo bën që Zaev të kërkojë mandatin nga Ivanov me 67 nënshkrime nga 61 sa janë të nevojshme, raporton “Rel”.
Përafrimi ka ndodhur pasi Zaev ka pranuar platformën e partive shqiptare, përfshirë edhe draft-ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër të gjitha institucionet.
Ndërkohë në shumë qytete ka pasur tubime, ku ithtarë të partisë së Nikolla Gruevskit kundërshtojnë ashpër marrëveshjen mes LSDM-së dhe BDI-së lidhur me draft-ligjin për gjuhën shqipe.