Substanca kimike e përdorur për të vrarë Kim Jong Nam, gjysmë vëllanë e diktatorit koreanoverior, është VX, “një agjent nervor”, një lëndë kimike e ndaluar dhe që shkakton vdekje të menjëhershm

Analizat kanë zbuluar substancën kimike që i solli vdekjen gjysmë vëllait të liderit të Koresë së Veriut, raporton “CNN”.

Lajmi e ka dhënë policia e Malajzisë, në një konferencë për mediat, duke dhënë detaje nga ekzaminimet.

“'VX Agjent nerve' është gjetur në fytyrën e tij dhe është klasifikuar si një nga armët e shkatërrimit në masë nga ana e Kombeve të Bashkuara”,tha policia.

Kim Jong-nam u vra në aeroportin e Kuala Lumpurit pasi dy gra i vendosën substancën në fytyrë. Pamjet e fundit të fokusuara nga kamerat e sigurisë ishin të tmerrshme.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e quan substancën toksike të njohur për veprimin e saj të rrufeshëm. Ajo i shkaktoi për disa minuta marramendje dhe pastaj ai vdiq, pa mundur të shkonte i gjallë në duart e mjekëve.

Malajzia ka akuzuar zyrtarisht Korenë e Veriut për incidentin e ndodhur në aeroportin ndërkombëtar të vendit, ndërkohë që ka tërhequr edhe ambasadorin e saj nga shteti diktatorial. Aktualisht, në pranga kanë përfunduar tre persona, mes të cilave edhe një grua që dyshohet si vrasësja e Kim Jong-nam.

Megjithatë, katër individë të tjerë, që dyshohet se kanë qënë planifikuesit e gjithçkaje janë shpallur në kërkim, por dyshohet se janë larguar nga vendi që pas sulmit, ndaj për këtë arsye ata figurojnë edhe në listat e kërkimit ndërkombëtar.